Madhështia dhe tragjizmi i popullit shqiptar, tërhoqi pas përshkrues e studiues të traditave e zakoneve, duke zgjuar interesin rreth etnografisë dhe trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Ngjyrat dhe kodet etnografike, zbërthehen me universalen nga pena e autorëve vendas e të huaj, duke i bërë këto botime promovuese të identitetit tonë kombëtar. Pjesë e pasurisë së biblotekës sonë janë libra me karakter informues, romane autobiografike,libra me karakter të një debati historik shkencor si dhe botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Vlerat artistike të veshjeve popullore, si dëshmi të një populli me kulturë dhe me shije të larta estetike dhe artistike, bënin për vete vizitorët e huaj, sa siç i shkruante edhe Lord Bajron së ëmës, veshjet shqiptare atij i pëlqyen aq tepër sa bleu disa nga kostumet më të pasura.
Edith Durham eci në gjurmët e Bajronit por vit pas viti gjeografia e udhëtimeve të saj në Shqipëri u zgjerua. Në veprat e saj, Durham lë dorëshkrim mbresat nga kostumet popullore të trevave shqiptare që arriti të vizitonte , sa për të kujtuar kohët shqiptare, ajo vishte kostumin qëndisur me ar sipër një fustani të lehtë. Gjatë një vizite në Elbasan, Durham në librin “Brenga e Ballkanit” dhe vepra të tjera për “Shqipërinë dhe Shqipëtarët”, e përshkroi veshjen e të zonjës së shtëpisë:
“Zonja, që rrinte këmbëkryq kishte veshur një kostum të mrekullueshëm karakteristik, dimi me lule, një xhaketë shumë të bukur kadifeje të kuqe në ar, dhe një bluzë të bardhë mëndafshi të hollë, e qëndisur e gjitha me ar.Me gjithë ato stoli origjinale që kishte vënë, dukej si në pikturë e bukur shumëngjyrëshe.”
Edith Durham e njohur si “Kralica e Malësorëve”, është dhe do të mbetet martire e çështjes shqiptare dhe një dashamirëse e kostumeve popullore, sa siç shprehej asokohe, nëse nuk do të kishte vështirësi me transportin e tyre, do të kishte blerë aq shumë veshje popullore sa do të kishte mbetur pa asnjë dyshkë”.