Tradita në krahinat Shqiptare
Kostumet, artizani, zejet, dhe aksesorët e folkut shqiptar shpalosin vlerat dhe shprehin identitetin e kulturës dhe historisë së vendit tonë. Folku është elementi kyç i trashëgimisë kulturore për një popull, dhe si pjesë e tij, kostumet popullore paraqesin një interes të veçantë. Dizenjo, ngjyrat, teknikat e prodhimit, materialet, funksionaliteti janë krejt të individualizuara dhe unike në llojin e tyre të reflektuara në fondet etnografike për secilën krahinë. Kostumet janë rezultat i një proçesi të gjatë ndryshimesh e përshtatjesh të ndikuara nga faktorë historikë, ekonomikë, social-kulturor dhe zhvillimesh teknologjike. Mjeshtëria e përpunimit dhe prodhimit të pëlhurave prej mëndafshi, leshi, liri kombinuar me teknikat e endjes, ndërthurjes apo tjerrjes ka krijuar veshje unike të cilat i kanë rezistuar kohës madje shekujve dhe janë përcjellë brez pas brezi. Karakteri shqiptar, trojet, por edhe elementët unikë në folkun tonë ndër vite kanë tërhequr interesin e studiuesve të huaj, ndër të cilat më e spikatura mbetet Mary Edith Durham (1863-1944) – Etnografe, publiciste angleze, studiuese e popujve të Ballkanit dhe mike e shqiptarëve, e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare.
"Ekziston një kënaqësi e veçantë në zbulimin e të panjohurës - një kënaqësi që asnjë udhëtim i dytë në të njëjtën shteg nuk e siguron kurrë." - Edith Durham
Arbëreshët ‘pushtuesit”e paqtë të Italisë.
Kur tradita thërret, veshjet popullore flasin.
Shqipëria e Veriut
Elementët që karakterizojnë veshjet popullore të Veriut janë: Xhubleta (veshje prej shajaku të zi, pa mëngë, me mes të ngushtë e me fund të gjerë si kambanë e valëzuar), pantallonat, shajaku (cohë e trashë prej materiali leshi e dërstilur, që përdoret për veshje të sipërme: gunë shajaku) opinga me majë, zbukurime dhe stoli te femrat.
Shqipëria e Mesme
Elementët që karakterizojnë veshjet popullore së Mesme janë: Çitjanet (veshje grash si brekushe të gjata, prej basme e me shumë pala, që ngushtohen te syri i këmbës; dimi), takie ( kësulë prej pëlhure të bardhë e me majë pak më të ngushtë) , jelek i qëndisur me fije ari, kapela e qëndisur për gratë, zbukurime në kokë.
Shqipëria e Jugut
Elementët që karakterizojnë veshjet popullore së Jugut janë: Fustanella (fund prej pëlhure të bardhë e me shumë pala në veshjen për burra në Shqipërinë e Jugut), qeleshe ( kësulë e bardhë, e punuar me lesh të shkelur e të larë), opinga me xhufka (lloj këpucësh të sheshta me lëkurë gjedhi të mbledhur anës e të lidhur me gjalma - fill të trashë prej leshi të dredhur) , përparëse e qëndisur.